Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” thotë se edhe në këto zgjedhje parlamentare në Kosovë, përfaqësimi i barabartë gjinor në listat për kandidatë për deputetë nga partitë politike në Kosovë, po mbetet vetëm në nivelin e dëshirës.
Sipas këtij instituti, listat të cilat u dorëzuan mbrëmjen e të së shtunës tregojnë që shumica e partive politike janë kujdesur që të respektojnë pragun minimal i cili është i vendosur taksativisht në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme e jo duke e vendosur në zbatim Ligjin për Barazi Gjinore.
Për Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, mos-respektimi i legjislacionit që e favorizon barazinë gjinore, tregon se partitë – cilado qoftë ajo që do ta marrë besimin për ta udhëhequr vendin, nuk do t’i vendosë gratë në mënyrë të barabartë edhe në qeverisje.
“Kjo praktikë tregon edhe nivelin e seriozitetit të premtimeve që në legjislaturën e fundit u bënë për zbatimin e barazisë gjinore në të gjitha propozimet dhe funksionet publike në Kosovë|, thuhet në komunikatë.
Tabela e mëposhtme tregon numrin e përgjithshëm të kandidatëve, numrin e propozuar të burrave dhe të grave, dhe përfaqësimi i të dy gjinive i shprehur në përqindje.
Tabela është përpiluar në bazë të njoftimeve në rrjetet sociale nga Partitë Politike, dhe ajo nuk përfshin partitë politike të tjera, meqenëse nuk i kanë publikuar.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për këto zgjedhje është 1,079, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Deri më 18 janar, ky institucion do të dërgojë për verifikim në gjashtë institucione, listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që më pas kandidatët të certifikohen.