Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), synon që brenda këtij viti të funksionalizojë shërbimin për fekondim artificial.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi në një intervistë për EO.
Ai ka thënë se për ofrimin e këtij shërbimi tashmë kanë filluar punimet për adaptimin e këtyre hapësirave.
“Një nga pikat e mia të udhëheqjes në këtë mandat është ngritja e disiplinës në punë transparenca dhe llogaridhënia. Pra të gjithë të punësuarit në njësinë përbërëse të SHSKUK-së duhet të respektojnë orarin e punës, të ngrisin llogaridhënien dhe transparencën në raport me qytetarët por edhe me mediet. Poashtu kemi filluar punimet për adaptimin e hapësirave për futjen e shërbimit për fekondim artificial dhe brenda këtij viti kemi planin që ta funksionalizojmë këtë shërbim në kuadër të QKUK-së. Është diçka që bëhet në baza të rregullta ditore dhe baza individuale”, ka thënë ai, trasmeton Insajderi
Krasniqi ka folur edhe për largimin e ish-drejtoreshës së Klinikës Infektive Lindita Ajazaj-Berisha, që sipas tij, ajo në letrën e saj ka përmendur arsyet e saj personale të largimit, duke shtuar se është në kërkim të zëvendësuesit të ri.
“Në letrën që na ka ofruar ka përmendur arsyet personale të dorëheqjes dhe unë jam në kërkim të zëvendësuesit të ri që do ta drejtoj klinikën infektive. Ende nuk kam marrë vendim se a është drejtoreshë në dorëheqje”, shtoi ai
Krasniqi ka thënë se objekti i mjekësisë sportive tani është funksional dhe janë në dispozicion 101 shtretër.
“Objekti i mjekësisë sportive tani më është funksional dhe kemi në dispozicion 101 shtretër. Që të gjithë janë të lidhur në sistemin qendror të oksigjenit dhe ka kushte jashtëzakonisht të mira për trajtimin e pacientëve”, shtoi Krasniqi
Sipas tij, shumica e shërbimeve nuk janë ndalur gjatë kohës së pandemisë duke përfshirë klinikat radiologjike, gjinekologjikë, shërbimet për pacientët e sëmurë me kancer, shërbimet në klinikën e pediatrisë.
“Ne kemi rikthyer këto shërbime që nga 5 janari i këtij viti. Ne kemi rikthyer vizita specialistike në të gjitha ambulancat specialistike përfshirë edhe në QKUK dhe spitalet e përgjithshme dhe poashtu kemi bërë kthimin gradual të shërbimeve kirurgjike të ashtuquajturat rastet e ftohta. Pra janë rikthyer në tersi të gjitha shërbimet të cilat kanë qenë të pezulluara gjatë kohës së pandemisë”.
“Por shumica e shërbimeve nuk janë ndalur përfshirë ato radiologjike, gjinekologjikë, shërbimet për pacientët e sëmurë me kancer, shërbimet në klinikën e pediatrisë nuk kanë qenë të ndalura gjatë kohës së pandemisë”, shtoi Krasniqi.