Shqetësuese mundësia e një sulmi terrorist në aeroportin e Kabulit

 

Një numër i madh i kombeve kanë shprehur shqetësimet e tyre duke thënë se ekziston një kërcënim i madh për një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit, ndërsa i kanë paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë atje.

Australia, SHBA dhe Britania e Madhe kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët e tyre. Ndërsa, ata që tashmë janë jashtë aeroportit këshillohen që të largohen menjëherë nga ajo zonë, shkruan BBC.

Më shumë se 82,000 persona janë transportuar me aeroplan nga Kabuli, i cili ra në duart e talibanëve 10 ditë më parë. Ndërsa shumë vende të botës po nxitojnë që të evakuojnë njerëzit deri më 31 gusht.

Mirëpo edhe pse një numër i madh i afganëve janë evakuuar, janë akoma mijëra të tjerë që po presin brenda e jashtë aeroportit duke pritur për tu larguar nga Afganistani.

 

 

Talibanët kanë kundërshtuar zgjatjen e afatit, por gjithashtu kanë premtuar se do të lejojnë të huajt dhe afganët të largohen nga vendi edhe përtej datës 31 gusht.

Zyra e Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar tha se situata e sigurisë në Afganistan “mbetet e paqëndrueshme” duke shtuar se ka “kërcënime të vazhdueshme për një sulm terrorist”.

Asnjë nga vendet nuk dha ndonjë informacion shtesë mbi kërcënimin e sigurisë.

Gjatë një fjalim të martën, presidenti amerikan Joe Biden tha se transporti ajror i kontrolluar nga SHBA do të duhej të përfundonte së shpejti për shkak të rritjes së kërcënimeve nga grupi i Shtetit Islamik në Afganistan, derisa shtoi se SHBA është në rrugën e duhur që të përfundoj operacionet në aeroportin e Kabulit deri në fund të muajit.

 

\RTV-Okarina\