26 persona janë shoqëruar në polici pasi janë kapur duke luajtur bixhoz gjatë orës policore.
Sipas njoftimit të policisë në Gjakovë, pasi kanë pranuar informatën se personat po luanin lojëra të fatit, gjatë bastisjes dhe kontrollit në lokacion, është gjetur një armë dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kanabis.
Njoftimi i plotë i policisë:
Me datën 28.12.2021, rreth ores 00:30, Policia e Kosovës në Gjakovë ka pranuar një informate se disa persona ndodheshin duke luajtur lojëra të fatit. Policia ka reaguar me njësitet e saj policore dhe aty ka hasur 26 persona të dyshuar të cilët ishin duke zhvilluar aktivitetin e kundërligjshëm.
Gjatë bastisjes dhe kontrollit në lokacion policia ka gjetur një armë dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kanabis. Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Gjakovë dhe janë intervistuar. Bazuar në ligjin në fuqi të gjithë të dyshuarve iu është shqiptuar nga një gjobë për mosrespektimin e orës policore.
Në vendngjarje ka dalë edhe njësia e hetimeve ku është bërë konfiskimi e armës, sasisë së substancës narkotike dhe të gjitha provat dhe dëshmitë për aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori kujdestar ku me urdhër të tij, iniciohen tri vepra penale “Organizimi i skemave piramidale dhe i bixhozit të paligjshëm” “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” për hetime të mëtejme në procedurë të rregullt.