Komuna e Klinës, pritet që të sigurojë shujtat ditore për nxënësit e kësaj komune. Për këtë qëllim, janë ndarë 93,264.00 euro, si vlerë e parashikuar për kontratë, raporton Klina.info.
Për këtë aktivitet tenderues, u përdor procedura e hapur e prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.
Shujtat pritet të shpërndahen në shkollat e territorit të Komunës së Klinës, për nxënësit e klasave prej 1 deri në 5.
Kontrata është paraparë të jetë në kohëzgjatje prej 12 muajve.
Ndryshe më datën 25 janar 2022, shtabi Emergjent për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar lidhur me rritjen e numrit të rasteve të konfirmuara me COVID-19, kapacitetet e institucioneve lokale dhe masat që duhet të ndërmerren.
Sipas njoftimit të komunës, në këtë mbledhje ishte vendosur që shkollat “Luigj Gurakuqi”, “Fehmi Agani”, “Ismet Rraci”, dhe “Motrat Qiriazi” në Klinë, nga dita e martë, datë 25 janar të vazhdojnë mësimin sipas skenarit C, mësim online, ndërsa mësimi do të rifillojë sipas skenarit A, me prezencë fizike në shkollë, të hënën, më datë 31 janar.