Shefja e Kongresit amerikan bën thirrje për bojkotimin e Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë

 

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi ka bërë thirrje ditën e sotme që SHBA të bojkotojë Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, në shenjë proteste përkundrejt abuzimeve të të drejtave të njeriut në Kinë, duke iu referuar kryesisht diskriminimit dhe internimit të popullsisë myslimane në provincën e Xinjang-ut.

Pelosi është shprehur se shtetet që do të marrin pjesë në këto Lojëra Olimpike nuk do të kenë “autoritet moral” për të folur për të drejtat e njeriut.

 

 

Thirrja e Pelosi-t vjen pak ditë pas një mbledhjeje të shteteve përndimore në OKB ku është denconuar sjellja e autoriteteve në Pekin përkundrejt minoriteteve në Kinë.

SHBA-të, Gjermania dhe Britania kanë sulmuar Pekinin duke thënë se trajtimi i komunitetit uijgur është papranueshëm në shekullin XXI. “Ne do të qëndrojmë pranë tyre dhe do të flasim hapur derisa qeveria kineze të ndalë krimet që po kryen kundër njerëzimit dhe genocidin që po ndodh në popullsinë uijgure ashtu dhe mes minoriteteve të tjera në Xinjang. Njerëz po vriten, gra po sterilizohen me forcë”– ka thënë Lindra Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA-ve në OKB.

Sipas raportimeve që vijnë nga Kina qindra mijëra njerëz i nënshtrohen kampeve “të riedukimit” dhe liria e besimit dhe praktikës fetare është faktikisht inekzistente.

 

 

Autoritetet kineze censurojnë informacionin e lirë dhe nuk lejojnë vrojtuesit ndërkombëtarë që të shkojnë në rajon dhe mohojnë faktet.

“Kina nuk ka asgjë për të fshehur në Xinjiang. Por, ne nuk mund t’i nënshtrohemi një investigimi bazuar në gënjeshtrat e perëndimit dhe në prezumimin e fajësisë”– ka thënë diplomati kinez Guo Jiakun në përgjigje të akuzave.

Britania dhe Gjermania kanë mbështetur akuzat e SHBA-ve dhe i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të solidarizohet dhe të veprohet kolektivisht kundër Kinës përpara se të jetë shumë vonë.