Shefi i BE-së: Nuk zbatuat që pesë vjet vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

 

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shef i zyrës, Ambassador Tomas Szunyog, është shprehur i shqetësuar se nuk po zbatohet marrëveshja për Manastirin e Deçanit.

Szunyog në një reagim të bërë në Twitter, thotë se as pas pesë vitesh që kur Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim lidhur me këtë çështje, vendimi nuk po zbatohet.

 

 

“Më vjen keq që 5 vjet që kur Gjykata Kushtetuese vendosi mbi mosmarrëveshjen e tokës në Deçan, vendimi ende nuk po zbatohet. Kosova mund të ecë përpara vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka thënë ai.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

 

 

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.