Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan.
Ajo ka shkruar se Presidenti Biden në këtë letër ka theksuar se partneritetin e gjatë mes dy vendeve tona të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.
“Ai poashtu ka theksuar se do të punojë me ne në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.
Në veçanti, e falenderoj Presidentin Biden që i është përgjigjur letrës sime të datës 19 mars lidhur me ndihmën në drejtim të sigurimit të vaksinave, si prioritet numër një i institucioneve tona. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me ekipin tim për realizimin e këtij synimi.
Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë. “ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden”, ka shkruar Osmani.
\RTV-Okarina\