SBASHK-u shqyrton mundësinë për pezullimin e grevës

Në njoftimin e SBASHK-ut, është bërë e ditur se në takimin e ardhshëm të anëtarësisë së sindikatës, pritet të diskutohet mundësia e ndërprerjes së grevës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka njoftuar se po kërkon mendimin e anëtarësisë për pezullimin e grevës, e cila ka nisur tash e pesë javë.

Në njoftimin e SBASHK-ut, është bërë e ditur se në takimin e ardhshëm të anëtarësisë së sindikatës, pritet të diskutohet mundësia e ndërprerjes së grevës.

“Këshilli grevist i SBASHK-ut, bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë grevistë që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar të vitit 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data tre tetor 2022”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit thuhet se si rezultat i mungesës së dialogut të mirëfilltë social, kërkesës së këshillit të prindërve që mësimdhënësit të jenë bashkë me fëmijët dhe të nisë viti shkollor, për parandalimin e ndikimit të eksponentëve të qeverisë “me agjendë përçarëse të kolektiveve shkollore dhe dyshimit tonë se greva sikur po i duhet Qeverisë për ta mbajtur vëmendjen e opinionit drejt grevës”.

“Duke parë se pas gjithë përpjekjeve tona që të kemi dialog të mirëfilltë e të gjejmë zgjidhje të kërkesave legjitime, Qeveria vazhdon qasjen e gabuar dhe pas angazhimit edhe të njerëzve me autoritet dhe ardhjes së drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) që ishte zë i grevistëve dhe solli kërkesa në emër të 11 milionë kolegëve nga e tërë Evropa që të realizohen kërkesat legjitime të grevistëve, por Kurti dhe qeveria vazhdoi të dëshmoi se nuk do të zgjidh kërkesat e grevistëve”, vijon njoftimi.

Sipas kësaj sindikate, Qeveria ka treguar se nuk e ka prioritet zhvillimin e arsimit përmes angazhimit cilësor dhe të dinjitetshëm të mësimdhënësve.

Po ashtu, në njoftim theksohet se SBAShK do t’i vazhdojë “orvatjet” që mësimdhënësve t’iu rikthehet dinjiteti përmes dialogut social me qeverinë ashtu që të përmbushen kushtet themelore.

“Mbështetjes shtesë të pagës deri në zbatimin e Ligjit për Pagat dhe sipas rritjes ekonomike përfshirë shkallën e inflacionit, plotësim ndryshimit të Ligjit Nr. 04/L 131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për ta hequr kriterin e 15 viteve kontributdhënëse, plotësim ndryshimit të Ligjit të sigurimeve shëndetësore”.