SBASHK-u ka dërguar 452 anëtarë të saj në bregdetin shqiptar.
Përmes një njoftimi, SBASHK-u thotë se pasi kanë analizuar mundësitë buxhetore, organet udhëheqëse kanë ardhur në përfundim se këtë vit në këtë aktivitet do të përfshihen 452 pushues, që janë përzgjedhur nga shoqatat sindikale arsimore e të kulturës dhe njësive akademike nga e tërë Kosova.
“Këtë traditë e ka nisur të dielën e 20 qershorit grupi i parë prej 78 pushuesve, në të cilin janë përzgjedhur anëtarët e SBASHK-ut që kanë kryer obligimet në procesin mësimor, ndërsa më 27 qershor do të shkojnë në pushimin e organizuar e të merituar 245 pushues të tjerë nga komuna të ndryshme të Kosovës. Ky aktivitet rekreativ do të vazhdojë më 4 korrik, me grupin e fundit prej 129 pushuesve”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.
Përveç për pushim e rekreacion, thuhet se ky aktivitet do të shfrytëzohet edhe për aktivitete sindikale e organizim dhe për organizimin e tryezave të debatit lidhur me përgatitjen e planit strategjik të angazhimit të SBASHK-ut në vitet në vijim.
“Duke e ditur se edhe Ministria e Arsimit dhe drejtoritë Arsimore kanë respekt për punën e përkushtuar të punëtorëve të arsimit, do ta përgëzojnë SBASHK-un për këtë aktivitet të qëlluar dhe nuk do të krijojnë ndonjë pengesë eventuale ndaj të përzgjedhurve për këto pushime”, thuhet në komunikatë.