SBASHK-u ankohet në Kurtin dhe dy ministrat e tij: Nuk po i përgjigjen ftesave për takim dhe diskutim të shqetësimeve të mësimdhënësve

 

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës është ankuar se kryeministri Albin Kurti me dy vartësit e tij, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci, nuk po i përgjigjen ftesave për takim dhe diskutim të shqetësimeve të mësimdhënësve.

Po ashtu, SBASHK ka akuzuar ministren e Arsimit se po merr vendime të atypëratyshme dhe pa u konsultuar, njofton Klan Kosova.

“Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe ministrja Nagavci le ta dinë se punëtorët e arsimit kanë ngritur shumë shqetësime dhe ato i kanë adresuar përmes përfaqësuesve të tyre në organet udhëheqëse të SBASHK-ut e të cilat janë të obliguara të angazhohen për gjetjen e zgjedhjes meritore për to dhe do të ishte mirë që kjo të bëhet me dialog. SBASHK-u në kërkesat zyrtare drejtuar kryeministrit Kurti, ministrit Murati dhe ministres Nagavci u ka shpjeguar edhe çështjet që duhet debatuar sepse janë kërkesa të punëtorëve të arsimit e kulturës”.

 

 

SBASHK ka thënë se nëse Kurti, Murati dhe Nagavci “vazhdojnë të arsyetohen se kanë agjenda të ngjeshura dhe i ikin takimeve e dialogut me SBASHK-un” për çështjet dhe shqetësimet e ngritura nga punëtorët e sektorit të arsimit e kulturës, atëherë mund të vijë deri të kërkesa e anëtarësisë për veprime sindikale.

Si veprime sindikale, SBASHK ka përmendur kundërshtimin për zgjatjen e vitit shkollor dhe kërkesa të tjera, për të cilat organet udhëheqëse të SBASHK-ut u zotuan se do t’i zbatojnë në përpikëri, por se përgjegjësinë për gjendjen që do të krijohet do ta kenë kryeministri dhe dy ministrat.

 

\RTV-Okarina\