Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka komentuar në lidhje me arrestimet të cilat janë kryer të enjten në disa komuna për aferën “Brezovica”.
Sallahu ka deklaruar se Qeveria është e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe se do të vazhdojnë me këtë dinamikë ngase ata dëshirojnë të bëjnë Kosovën shtet të së drejtës.
“Vazhdimi i hetimeve për aferën “Brezovica” ka çuar sot në arrestimin e edhe të 7 personave të tjerë, 3 nga të cilët ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe 4 pronarë të kompanive ndërtimore.
Ndërkohë, janë kryer po ashtu edhe dhjetëra bastisje në disa qytete të vendit tonë lidhur me rastin dhe provat për të dyshuarit”, ka shkruar ai.
Afera “Brezovica” është një skandal i ryshfetit dhe ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura ku të përfshirë janë zyrtar të nivelit qendror, komunal por edhe subjekte afariste.
Ndryshe në rastin Brezovica ishte arrestuar edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq i cili dyshohet se nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.