Sa herë që kërkohej një “hero”, Lushtaku ishte shpëtimtari

Klubi futbollistik Drenica po kalon në një kohë shumë të vështirë si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar.

Drenica mezi arriti që të siguronte mbijetesën në Superligë edhe për së paku një edicion.

Tashmë te Drenica janë bërë disa ndryshime, ku janë larguar disa lojtarë kryesorë si dhe trajneri emblematik, Tahir Lushtaku, i cili ishte dhe “goditja” më e rëndë për kuqezinjtë.

52-vjeçari ishte i gatshëm që çdo herë ta ndihmonte klubin dhe e ka bërë këtë pa kursyer asgjë, madje ka pasur raste që edhe vet ka kontribuar financiarisht për klubin.

Sa herë që kërkohej një shpëtimtarë për K.F. Drenicën, Lushtaku ishte aty për ta bërë edhe të pamundurën të mundur.

Edhe nga shkrimi i tij i konfirmimit të dorëheqjes u vërejt se gjërat brenda klubit nuk po shkojnë aspak mirë në aspektin financiar si dhe probleme të tjera që nuk kanë të bëjnë aspak me sportin.

Tahir Lushtaku falë punës dhe pasionit të madh për futbollin arriti që të fitonte zemrat e një qyteti të tërë dhe të bëhej i dashur për ata që dinë ta vlerësojnë angazhimin dhe përkushtimin e palodhur.