RrGK përkrah protestën e sotme në Prizren

Së fundi, më 3 shkurt 2021, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 15 vjet burgim Ilir Haxhiajn, i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau bashkëshorten e tij, Hatije Dinën. Ai u dënua për veprën “lëndim i rëndë trupor”.

Për ta kundërshtuar këtë vendim, dhe për t’i ‘rikujtuar’ Gjykatës Themelore të Prizrenit se ky “lëndim trupor” i mori jetën Hatije Dinës, nën organizimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhjetra aktivistë protestuan sot me fillim nga ora 12:00, para Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Duke përkrahur këtë protestë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) vlerëson se klasifikimi dhe dënimi i Ilir Haxhiajt me veprën “Lëndim i Rëndë Trupor” është krejtësisht i padrejtë dhe në kundërshtim me kornizën ligjore në vend.

Presim që zëri i këtyre aktivistëve që protestuan sot, të arrijë te Gjykata e Apelit, në mënyrë që ata ta shpallin të pavlefshëm këtë dënim të dhënë nga Gjykata Themelore në Prizren.

Gjithashtu, RrGK përmes kësaj kumtese njofton se do të monitorojë për së afërmi ecurinë e këtij procesi gjyqësor.