Rrahman Jasharaj: Urojmë që ky vikend të mos jetë i pushimit as për ne e as për Qeverinë

Nuk dihet ende nëse fëmijët të hënën do të ulen në bankat shkollore.

Por, se mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i anëtarësisë së SBAShK-ut në fundjavë rreth vendimit për të vazhduar ose jo grevën.

Kështu, ka thënë kryetar i Këshillit grevist të BSPK-së, njëherit kryetar i SBAShK-ut, Rrahman Jashraj.

“Gjithçka i mbetet anëtarësisë të vendosë dhe unë nuk jam në gjendje dhe nuk e kam atë autorizim se çka do të ndodhë në javën e ardhshme. Jemi në komunikim të vazhdueshme  dhe se çfarë do të ndodhë për momentin e them se është grevë dhe pa dialog të mirëfilltë kam frikë se situata do të mbetet e tillë. I mbetet anëtarësisë të vendosë”, është shprehur Jasharaj për Front Online.

Ndërsa, ka thënë se uron që kjo fundjavë të mos jetë ditë pushimi as për ta e as për Qeverinë.

“Urojmë që ky vikend të mos jetë i pushimit as për ne e as për Qeverinë, por që të ulemi e të bisedojmë ne mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje për ta tejkaluar këtë situatë, çfarë do të ndodhë nga e hëna e tutje i mbetet të vendosë anëtarësia e SBAShK-ut dhe grevistët tjerë që janë në grevë”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj, ka thënë se është ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ajo e cila duhet të angazhohet maksimalisht dhe të ndikojë tek Qeveria që të gjendet një zgjidhje.

Sipas, Jasharajt derisa Qeveria i thotë gjërat dhe iu vë pikën ashtu siç dëshiron vetëm ajo atëherë nuk ka zgjidhje.

“Ministrja duhet të ulet bashkë me ne dhe të ndikojë në dialogun me Qeverinë, deklarata të tilla kemi pas dhe ne kemi prit me muaj dhe unë po them pikërisht pse mungon dialogu dhe kur ka dialog ai kthehet në monolog kur njëra palë në këtë rast Qeveria i thotë gjërat e veta duke i vën pikë pa qenë e gatshme të lëviz atëherë ministrja duhet të angazhohet për të gjetur zgjidhje. Pasi që ditëve të fundit edhe ministrja po del me disa deklarata që nuk ndikojnë në uljen e tensioneve dhe në krijimin e një atmosfere të besimit”, ka shtuar tutje ai.

Tashmë është bërë e ditur se disa shkolla në komunën e Gjakovës gjatë ditës së djeshme kanë filluar mësimin.

Kurse, sot në Fushë Kosovë ka filluar mësimi në gjimnazin “Hivzi Sylejmani”.

Ndërsa, është raportuar se edhe disa shkolla në komuna të tjera kanë filluar mësimin.

Të pakënaqura përveç sindikatës së arsimit janë edhe disa sindikata të tjera, të cilat që nga 25 gushti kanë hyrë në grevë deri në afat të pacaktuar.

Në ombrellën e BSPK-së, ato po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj.