Ronaldo: Fitova gjithçka edhe në Itali, nuk i ndjek rekordet, ato më ndjekin

 

Cristiano Ronaldo e mbylli sezonin 2020-2021 pa e fituar kampionatin ose Champions League, diçka që nuk i ka ndodhur shpesh në karrierën e tij, por ai, gjithsesi, është ngushëlluar me Kupën e Italisë, Superkupën dhe titullin e golashënuesit më të mirë në Serinë A. CR7 preferoi të postonte një mesazh të gjatë në Instagram për të vulosur suksesin total edhe në Itali.

CR7 preferoi të postonte një mesazh të gjatë në Instagram për të vulosur suksesin total edhe në Itali.

 

 

“Jeta dhe karriera e çdo lojtari të madh shoqërohen nga ulje-ngritjet. Vit pas viti ne përballemi me skuadra fantastike, me lojtarë të jashtëzakonshëm dhe objektiva ambiciozë, kështu që gjithmonë duhet të japim gjithçka për të mbajtur veten në nivelet e përsosmërisë. Këtë vit, ne nuk ia dolëm të fitonim Serinë A, përgëzime Interit për titullin e merituar. Unë ende duhet të vlerësoj gjithçka që kemi arritur këtë sezon me Juventusin, si në aspektin kolektiv dhe në atë individual. Superkupa e Italisë, Kupa e Italisë, trofeu i golashënuesit më të mirë të mbushin me lumturi, veçanërisht për vështirësitë që sjellin me vete, në një vend ku asgjë nuk fitohet lehtë.”

Portugezi gjithashtu shpjegon metodën e tij: ai ndiqet nga rekordet, në vend që t’i ndjekë ato.

“Me këto suksese kam arritur një qëllim që ia kisha vendosur vetes që ditën e parë kur arrita në Itali: të fitoj Kampionatin, Kupën dhe Superkupën, por edhe të jem lojtari më i mirë dhe shënuesi më i mirë në këtë futboll të shkëlqyeshëm, në një vend plot me lojtarë të jashtëzakonshëm, klube gjigante dhe një kulturë shumë të veçantë futbolli. Tashmë e kam thënë që nuk ndjek rekorde, janë rekordet që më ndjekin. Për ata që nuk e kuptojnë se çfarë dua të them, është shumë e thjeshtë: futbolli është një lojë kolektive, por përmes tejkalimit të vetvetes ne ndihmojmë ekipet tona për të arritur objektivat”.

 

 

Në fund, “ylli” portugez rendit të gjitha sukseset që ka arritur në nivel klubesh në Angli, Spanjë dhe Itali. Në çdo vend CR7 ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm.

“Pra, unë jam shumë krenar për këtë fakt. Kampion në Angli, Spanjë dhe Itali; Fituesi i Kupës në Angli, Spanjë dhe Itali; fitues i Superkupës në Angli, Spanjë dhe Itali; Lojtari më i mirë në Angli, Spanjë dhe Itali; Shënuesi më i mirë në Angli, Spanjë dhe Itali; Mbi 100 gola për një klub në Angli, Spanjë dhe Itali. Asgjë nuk krahasohet nga ndjenja që kam mundur të lë shenjë në vendet ku kam luajtur dhe se u kam dhënë gëzim tifozëve në klubet që përfaqësova. Është ajo për të cilën unë punoj, kjo është ajo që më shtyn do të vazhdoj ta ndjek gjithnjë deri ditën e fundit. Faleminderit të gjithëve që morën pjesë në këtë udhëtim! Ne jemi bashkë! “