Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është duke raportuar mbi krizën energjetike në vend në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Ajo tha se situata aktuale në vend nuk është e mirë.
“Kemi pasë një situatë relativisht të mitë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore”.
“Një bllok i Kosovës B detyrimisht duhet të ndalet për të bërë riparime. Në tri ditët e ardhshme pritet që situata të jetë edhe më e rënduar”.
Ajo tha se për këtë ka zhvilluar takime me homologët e saj nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për mundësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.
“Një ndër sfidat kryesore që po përballen vendet jo vetëm të rajonit, por edhe të botës, është kriza energjetike si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit në tregjet globale. Ka disa muaj që ka prekur rajonin dhe shumica e vendeve të rajonit janë më të prekura sesa ne. Shqipëria ka disa muaj që është prekur sepse ka importuar më shumë energji. Po ashtu, edhe Maqedonia është prekur thellësisht.
“Prej momentit kur ka filluar kriza të prekë vendet e rajonit e kemi përcjellë situatën. Kërkesat për subvencione janë të mëdha, me dhjetëra milionë euro. Po i shikojmë hapat e ardhshëm që efektet te konsumatorët, te buxheti, por edhe te financat publike të jenë sa më të ulëta. Kemi angazhuar një ekspert gjerman nga GIZ për intervenime më kreative që do të ndikonte në uljen e kërkesës për subvencione”.
Rizvanolli tha se po mundohen që të licensojnë sa më parë impiantet më erë në Selac të Mitrovicës për t’i vënë në funksion të prodhimit të rrymës.
\RTV-Okarina\