Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, partitë boshnjake morën shtatë mijë vota më shumë se herën e kaluar, madje edhe në zonat ku nuk ka banorë të këtij komuniteti.
Ky fakt solli në dyshimet se Lista Serbe ka ndërhyrë në procesin zgjedhor për ulëset e garantuara, në mënyrë që t’i kontrollojë rreth dy të tretat e deputetëve të pakicave.
Cak i akuzave është iniciativa e Adriana Hoxhiq e cila po thuhet se është ndihmuar nga votat e serbëve të Kosovës.
Një grup prej 49 organizatave të sektorit civil të boshnjakëve të Kosovës ka reaguar duke thënë se nuk e pranojnë rezultatin.
”U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që t’i adresojnë seriozisht këto fenomene antikushtetuese dhe të anulojnë mandatet e paligjshme sepse ato janë në kundërshtim me garancitë e përfshira në Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në reagim.
Këtë ndërhyrje e quan të paprecedentë edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili tha se subjektet shqiptare asnjëherë nuk kanë pasur tendencë të ndërhyjnë në zgjedhjen e përfaqësuesve të komuniteteve.
Ai tha për Klan Kosovën, se institucionet përkatëse dhe monitoruesit vendorë e ndërkombëtarë duhet ta trajtojnë këtë çështje.
”Përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë duhet të jenë të zgjedhur nga komunitetet përkatëse pa asnjë ndërhyrje, siç ka qenë në legjislaturat paraprake dhe siç e përcakton fryma e kushtetutës. Ndërhyrja që duket qartë se ka ndodhur në këto zgjedhje është e papranueshme, sepse bie ndesh me parimet dhe frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Hoti.
Nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës thanë se po presin certifikimin e rezultateve zgjedhore që t’i adresojnë edhe reagimet e tyre.