Kryeministri shqiptar Edi Rama ka marrë vaksinën e tretë kundër COVID-19, derisa iu bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të mos u besojnë gënjeshtrave që përhapen në internet.
“Bëra vaksinën e tretë me zgjedhje të rastësishme, sepse nuk e kuptoj dot sesi në shekullin XXI nuk mund t’i besohet shkencës, autoriteteve, por u besohet disa sharlatanëve dhe disa delirantëve në internet që shpërndajnë gjithfarë teorish konspiracioni. Si ka mundësi që kjo të jetë një lojë dhe asnjë kanal serioz informimi të mos flasë. Pra u është mbyllur goja të gjitha mediave dhe u është hapur goja atyre që s’kanë asnjë lidhje me shkencën, humanizmin dhe shëndetin publik”.
“Po flasin për të bërë vaksinën gjithë akademitë e botës dhe po flet kundër vaksinës një lumë konspiracioni në Facebook e internet. Kjo është të fyesh inteligjencën tënde. Vaksina nuk të mbron nga infektimi, të mbron nga vdekja. Çfarë mund të thuhet tjetër sot? Ndërkohë që Austria është mbyllur komplet, të tjerët po marrin gjithfarëlloj masash, ne kemi bërë çmos të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë, por duhet të jemi të qartë, që nuk mundet dot ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë, “të dalë ku të dalë”, sepse mbajmë përgjegjësi”.
Ai paralajmëroi se vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm për disa kategori personash si punonjësit e administratës publike, apo ata që kanë kontakte me njerëz.
“Këtë nuk e vendos unë, e vendos komiteti. Ne nuk do të marrim vendime politike”, tha Rama i pyetur nga A2 CNN në lidhje me vendosjen e masave kufizuese ndaj personave që nuk kanë bërë vaksinën.
“U them nëpunësve të shtetit të vaksinohen sepse mund të vijë momenti që të kenë të detyrueshëm kartelën e vaksinimit për të shkuar në punë dhe nuk dot ë paguhen nëse nuk shkojnë në punë. U them atyre nuk do të lejohen të hyjnë nëpër merkato e dyqane të vaksinohen. Ata që kanë dyqane të vaksinohet se mund të vijë momenti që do t’u mbyllet dyqani. Kush nuk do të vaksinohet është në lirinë e vet, po nuk mund të kërcënojë të tjerët”.
\RTV-Okarina\