Qeveria e Kosovës është duke pritur ndryshime pozitive të vendeve skeptike të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Në ekzekutiv shprehën të bindur se në shtatë muaj qeverisje kanë treguar qëllimet e tyre të qarta për luftimin e krimit, korrupsionit dhe reformën e sistemit të drejtësisë.
Megjithëse në Qeveri nuk dhanë ndonjë datë, njohësit e integrimeve evropiane si mundësi reale për liberalizim të vizave e shohin gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, pikërisht atëherë kur presidencën e Këshillit të BE-së, e merr Franca, e cila është një ndër vendet skeptike.
Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, thotë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.
Megjithatë, ai tregon se janë në komunikim me vendet hezituese dhe se të njëjtat janë në dijeni për zhvillimet pozitive në Kosovë.
“Ky është një vendim i cili i takon BE-së, përkatësisht vendeve që vazhdojnë të shprehin një dozë skepticizmi ndaj Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kjo qasje, ky qëndrim dhe këto vendime përcaktohen nga dinamikat e brendshme politike të këtyre vendeve. Pavarësisht kësaj, vazhdimisht janë në komunikim me këto shtete dhe përfaqësuesit e këtyre shteteve. Ato kanë misione diplomatike në Kosovë ku janë në dijeni për çdo zhvillim pozitiv që shënohet në Kosovë. Ne shpresojmë se BE-ja do të tejkalojë këtë hezitim, përkatësisht këto shtete karshi Kosovës dhe të ndryshojnë qëndrimin e tyre, pasi në Kosovë kanë ndodhur ndryshime. Kemi një qeveri të re që gëzon legjitimet të madh popullor dhe politik që ka qëllime të qarta për luftimin e krimit, korrupsionit dhe reformën e sistemit të drejtësisë… Kjo qeveri brenda 7 muajve tashmë ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, një dokument tejet i rëndësishëm për reformën e sistemit të drejtësisë. Njëjtën kohë ka miratuar koncept-dokumentin për vetingun që është domosdoshmëri për të krijuar një shtet të mirëfilltë”, thotë ai.
Lajme të mira për liberalizim të vizave pret profesori universitar, Afrim Hoti, i cili thotë për KosovaPress, se në pjesën e parë të vitit 2022 mund të ketë lëvizje pozitive për Kosovën.
Derisa shprehët skeptik se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë këtij viti.
“Nuk besoj se do të ketë diçka të re brenda këtij viti, sepse definitvisht Sllovenia përkundër dëshirës, nuk mendoj se e ka potencialin ta shtyjë këtë çështje, që eventualisht të marrim liberalizimin e vizave. Ndërkohë, Parlamenti Evropian tash e sa kohë po trumbeton, bile është i vetmi institucion i BE-së qe njeh Kosovën dhe me të njëjtën ka konstituar marrëdhëniet kontraktuale. Sido që të jetë, çështja e liberalizimit të vizave tashmë ka mbet çështje e Këshillit të Ministrave. Disa vende hezitojnë sot e kësaj dite të japin dritën e gjelbër për këtë çështje. Mbase lajme të mira dhe tone optimiste priten në pjesën e parë të vitit të ardhshme, kur udhëheqjen e këshillit do ta merr Franca. Nisur nga fakti se edhe Franca është vendi që deri tani ka shkaktuar më shumë problem”, thekson Hoti.
Më i rezervuar në afate kohore shprehët zëdhënësi Kryeziu. Ai thotë se Qeveria Kurti nuk do të bëjë gabimet e qeverive paraprake kur kanë folur në emër të BE-së.
“Kjo qeveri nuk mund të bëjë gabimet që kanë bërë qeveritë paraprake kur kanë folur në emër të BE-së. Ky vendim nuk i takon Kosovës, ndonëse ne punojmë dhe zotohemi se çfarëdo lloj hezitimi që këto shtete kanë në raport me Kosovën ti adresoj në kohën dhe mënyrën më të mirë”, shton Kryeziu.
Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018. Mirëpo disa vende të BE-së, veçmas Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezervat e tyre për ndërmarrjen e një hapi të tillë.
\RTV-Okarina\