Qeveria e miraton Projektligjin për byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë

Qeveria ka miratuar Projektligjin për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme tha që përmes këtij projektligji, do të mundësohet që të verifikohet dhe më pas të konfiskohet pasuria e cila është krijuar nga zyrtarët publikë.

“Objektivi i qeverisë sonë, është lufta kundër krimit dhe korrupsioni, si dukuri tejet negative. Ministria e Drejtësisë në këtë luftë kundër krimit dhe korrupsionit e ka barrën kryesore.

“Përmes këtij projektligji, do të mundësohet që të verifikohet dhe më pas të konfiskohet pasuria e cila është krijuar nga zyrtarët publikë. Krijimi i Byrosë, do të jetë në funksion të kompletimit të mekanizmave shtetëror që kanë për qëllim luftës ndaj krimit dhe korrupsionit përmes konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme”, tha Kurti.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky projektligj është një nga zotimet e tyre kryesore, para qytetarëve të vendit.

“Ministria e Drejtësisë në kuadër të objektivave të saj është e përkushtuar në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, në këtë aspekt është e hartimi dhe aprovimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nga vlerësimi përmes koncept-dokumentit ka rezultuar që është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet edhe Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.

Haxhiu ka thënë se nëse byroja e vëren se një zyrtar ka pasuri qe s’mund ta justifikojë atëherë i kërkon gjykatës konfiskimin e saj.