Qeveria e Abazoviqit në rrezik

 

Tradhti ndaj Malit të Zi, kapitullim i shtetit para Kishës Ortodokse Serbe, farsë… Këto janë disa vlerësimet e disa partive politike në Mal të Zi për një version të Marrëveshjes Themelore, që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën.

Reagimi më i ashpër ka qenë nga partitë që marrin pjesë në Qeverinë e Malit të Zi ose i ofrojnë asaj mbështetje politike në Kuvend: Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS).

Kritikat janë përcjellë me paralajmërime se Qeveria, e zgjedhur dy muaj më parë, mund të humbasë mbështetjen në Kuvend, ku ka një shumicë prej vetëm tri votash, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ajo që kundërshtohet me të madhe në propozim-tekstin e marrëveshjes së Qeverisë, është pjesa që e njeh subjektivitetin e Kishës Serbe në Mal të Zi gjashtë shekuj më herët se atë të Kishës në Serbi.

E njohur si Marrëveshja Themelore, ajo nënshkruhet me bashkësitë fetare për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella pronësore dhe juridike.

Pas gati një dekade negociatash të pasuksesshme të qeverive të mëparshme, kryeministri aktual i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka premtuar nënshkrim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Pas publikimit të propozim-tekstit të Marrëveshjes Themelore më 28 qershor, për të cilin thuhet se ka pasur dakordim midis Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, pasuan reagime të furishme.

Draginja Vuksanoviq, deputete e SDP-së, partisë që ka dy ministra në Qeverinë e Abazoviqit, tha se projekt-marrëveshja është “farsë, tradhti dhe okupim”.

Nga kjo parti thanë jozyrtarisht për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se, nëse Qeveria e pranon këtë version të Marrëveshjes Themelore me Kishën, “Qeveria, në mënyrë të pashmangshme, do të bjerë dhe do të shpallen zgjedhje të reja parlamentare”.

Nga DPS-ja thanë se në tekst ka “qëllime dukshëm të këqija” ndaj Malit të Zi dhe shtuan se Qeveria është e obliguar që t’i mbrojë interesat kombëtare malazeze.

“Përndryshe, pasojat dihen”, tha Millosh Nikolliq, një zëdhënës i DPS-së.

Nga “Matica crnogorska”, institucion kulturor në Mal të Zi, thanë se me nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, vendi “do të nënshkruante aktin e kapitullimit”.

Abazoviq tha se palët që janë të pakënaqura me tekstin e harmonizuar të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, kanë qenë në dijeni për përmbajtjen e saj.

“Përveçse kam dëgjuar që jam tradhtar, nuk kam dëgjuar ende se nene të caktuara të marrëveshjes nuk janë në rregull. Përfaqësuesit e DPS-së dhe SDP-së e kanë ditur tekstin dhe nuk kanë pasur asnjë kundërshtim për pjesën normative”, tha Abazoviq.

Por, ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq, nga SDP-ja, publikoi një letër drejtuar kabinetit të Abazoviqit, e cila tregon se kjo parti ka kundërshtuar projekt-marrëveshjen.

Nga DPS-ja thanë se kryeministri po mashtron opinionin dhe se kjo parti ka kundërshtime për marrëveshjen, shkruan Radio Evropa e Lirë.