Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi sot të plotë aktgjykimin lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.
Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
“Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktgjykim.
“Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë, Gjykata thekson se në mënyrë që Qeveria të zgjidhet, konform paragrafit 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ‘për’ Qeverinë duhet të votojnë të paktën gjashtëdhjetë e një (61) deputetë të Kuvendit. Në rastin konkret, sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit, Gjykata vëren se më 3 qershor 2020, gjashtëdhjetë e një (61) deputetë kishin votuar ‘për’ Qeverinë, gjegjësisht për vendimin e kontestuar. Për miratimin e Vendimit të kontestuar kishte votuar edhe Etem Arifi.
Pasi Gjykata gjeti se mandati i Etem Arifit kishte qenë i pavlefshëm para votimit të Vendimit të kontestuar, ai Vendim kishte marrë vetëm gjashtëdhjetë (60) vota të vlefshme. Për pasojë, procedura për të zgjedhur Qeverinë nuk është zhvilluar në përputhje me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.
“Gjykata e konsideron të rëndësishme të theksojë se është e vetëdijshme se Etem Arifi ka marrë pjesë edhe në procedura të tjera votuese në Kuvend, edhe pasi ai nuk kishte mandat të vlefshëm. Megjithatë, duke u mbështetur në parimin non ultra petita (‘jo përtej kërkesës’), Gjykata kufizohet në vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar më kërkesën e paraqitur para saj, gjegjësisht Vendimit nr. 07/V-014, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkitazi me Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjykata e sheh të nevojshme që të sqarojë po ashtu se, duke u nisur nga parimi i sigurisë juridike, si dhe nga fakti se ky Aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.
Tashmë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar takimet me përfaqësuesit e partive politike dhe së shpejti pritet të bëhet e ditur edhe data e zgjedhjeve. /RTV-OKARINA