PSG fiton me golat e Mbappes, debutim dhe për Messin

Ligue 1 ka zhvilluar dhe xhiron e katërt ku nuk pati befasi.
PSG, Lyon, Marseille e Lille fituan këtë xhiro.
Reims 0-2 PSG
Parisienët e kanë nisur mirë këtë sezon, jo me shkëlqim në lojë, por duke fituar katër ndeshjet e para.
Këtë javë mposhti Reimsin e Valon Berishës me rezultat 0-2.
Të dy golat i shënoi i shumë-përfoluri Mbappe në minutat 16 dhe 63 duke i shfrytëzuar mjaft mirë asistet e Di Marias e Hakimit.
Në minutën e 66 erdhi dhe momenti i shumë pritur, debutimi i Leo Messit me fanellën parisiene.
Argjentinasi u inkuadrua në vend të Neymarit dhe u duartrokit dhe u thërrit ”Messi, Messi” nga i gjithë stadiumi ”Stade Auguste Delaune”. Messi në 24 minuta nuk arriti të linte gjurmë, por bëri paraqitje solide.
Nantes 0-1 Lyon
Lyoni i Xherdan Shaqirit mori një fitore minimale si musafir i Nantes në ”Stade de la Beaujoire”.
Xherdani nuk u aktivizua në këtë ndeshje, por e ndoqi nga stoli paraqitjen e skuadrës së tij të re.
Golin e fitores për Lyonin e shënoi sulmuesi Dembele në minutën e 35-të.
Lille 2-1 Montpellier
Kampionët aktual fituan si vendas me rezultat 2-1.
Në fundin e pjesës së parë në kohën shtesë u realizuan dy gola, nga një për secilën skuadër.
Për vendasit shënoi Yusuf Yazici në minutën e parë shtesë, kurse në minutën e katërt shtesë barazoi Gaetan Laborde.
Golin e fitores e realizoi 21 vjeçari kanadez Jonathan David në të 56-tën.
Rezultatet tjera janë:
Nice – Bordeaux 4-0
Marseille – Saint-Etienne 3-1
Troyes – Monaco 1-2
Angers – Rennes 2-0
Clermont Foot – Metz 2-2
Lens – Lorient 2-2
Strasbourg – Brest 3-1
Ligue 1 rikthehet me 10 shtator pas ndeshjeve të kombëtareve.
\RTV-Okarina\