Protestuesit djegin objektin e ish-parlamentit në Australi

 

Ndërtesa e ish-parlamentit të Australisë në kryeqytetin Canberra u dogj të enjten nga protestuesit gjatë një demonstrate për sovranitetin e aborigjenëve, tha policia.

Askush nuk u lëndua nga zjarri i cili përfshiu dyert e hyrjes së parlamentit të vjetër, përpara se të shuhej.

Ky veprim erdhi pasi dy javëve të protestave në vend. Dhuna në protesta në këtë shkallë është e rrallë në Australi, por ‘shpërthimet’ e zemërimit janë bërë më të zakonshme gjatë pandemisë.

Disa nga protestuesit e kishin identifikuar veten si pjesë e grupeve anti-qeveritare dhe “qytetarëve sovranë”, thanë vëzhguesit.

Kryeministri Scott Morrison e ka dënuar dhunën duke thënë se kjo nuk është mënyra se si Australia funksionon.

“Jam i neveritur dhe i tmerruar nga sjellja e australianëve që i vunë zjarrin një simboli të tillë të demokracisë në këtë vend”, tha ai.

Punëtorët brenda ndërtesës, që është objekt i trashëgimisë kulturore, u evakuuan shpejt pasi zjarri shpërtheu.