Disa organizata joqeveritare, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe qytetarë protestuan të shtunën, më 13 nëntor në Beograd, duke kërkuar heqjen e një murali kushtuar kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladiq, që është vendosur në një fasadë në qendër të kryeqytetit serb.
Organizatorët e protestës thanë se është koha që shteti i Serbisë të ndalojë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, për të cilin Ratko Mladiq, si gjeneral i Ushtrisë së Republika Srpska, u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë. Protestuesit po ashtu kërkuan që Serbia të ndryshojë qëndrimin ndaj krimeve të luftës, “t’u ngrehë monumente viktimave, jo kriminelëve”.
“Kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin në Srebrenicë” është panoja që mbajnë anëtaret e grupit “Gratë në të Zeza”. Beograd, 13 nëntor 2021.
Ndonëse ishte paralajmëruar se pjesëmarrësit në protestë, pas fjalimeve, do të drejtoheshin në rrugën Njegosheva, ku është murali i Ratko Mladiqit, nga ky plan, është hequr dorë për arsye sigurie.
“Ka shumë policë, ka shumë djathtistë. Ne jemi njerëz të mirë dhe nuk duam të ndodhë ndonjë incident”, u tha të pranishmëve, aktivistja për të drejtat e njeriut Aida Çoroviq.
Më 9 nëntor, Çoroviq u arrestua sepse hodhi vezë në muralin e Ratko Mladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë nga Gjykata e Hagës.
Gjatë protestës, siç raportuan gazetarët e Radios Evropa e Lirë, policia përmes një kordoni ndau djathtistët nga protestuesit.
Mbështetësit e të djathtës brohoritën mesazhe mbështetjeje për Mladiqin dhe fyen protestuesit që po kërkojnë heqjen e muralit. Ndërkaq, protestuesit në anën tjetër, i kanë quajtur të djathtët “fashistë”.
Murali me portretin e Mladiqit për katër muaj po qëndron në fasadën e një ndërtese që gjendet në kryqëzimin e rrugëve “Njegosheva” dhe “Aleksa Nenadoviqit”.
Një autor i panjohur e pikturoi muralin në fund të korrikut të këtij viti, një muaj pasi gjykata në Hagë konfirmoi burgimin e përjetshëm ndaj Ratko Mladiqit më 8 qershor. Shpjegimi i policisë për ndalimin e tubimit të 9 nëntorit, në të cilin ishte paraparë që të pikturohej murali, ishte se ekzistonte rreziku i konfliktit fizik të ndërsjellë (përkrahësve dhe kundërshtarëve të tubimit të paralajmëruar) dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Më 10 nëntor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se policia i ka mbrojtur qytetarët nga konfliktet e ndërsjella. Koalicioni qeverisës në Serbi, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit, nuk e pranon që gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Zyrtarët e lartë shtetërorë thonë se një “krim i tmerrshëm” ndodhi në Srebrenicë. /RTVOKARINA/