Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari i pestë i mbrojtur është përgjigjur në pyetjet e avokates së viktimave, Anni Pues, në seancën gjyqësore ndaj Salih Mustafës e cila po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në pjesën më të madhe të kohës seanca ka vijuar e mbyllur për publikun ndërsa më vonë mbrojtësja e viktimave e ka pyetur dëshmitarin rreth një personi të vdekur.
Avokatja Pues: Ne paradite sot kemi përmendur ngjarje që lidhen me një person specifik, me një person konkret për të cilin juve mësuat më vonë që ky person kishte vdekur. Të lutëm, a mund ta na shpjegosh se si u ndjetë ju rreth këtyre ngjarjeve më vonë apo si ndiheni aktualisht lidhur me atë se çfarë ka ndodhur atëherë?
Dëshmitari: Në momentin e marrjes së lajmit jam ndjerë shumë keq.
Avokatja Pues: A mund të na shpjegosh të lutem pse je ndjerë kështu?
Dëshmitari: Ndërgjegjja.
Avokatja Pues: Ne dëgjuam gjithashtu më herët se ju nuk keni folur asnjëherë me familjarët e këtij personi konkret, më vonë, ose që prej asaj kohe, a ka ndonjë gjë do të donit t’i thoshit familjarëve të këtij personi, ose që ju mendoni se mund t’i ndihmonte ata që të kuptonit më mirë se çfarë ka ndodhur realisht?
Dëshmitari: Mund t’ju them vetëm që më vjen keq për atë që i ka ndodhur atij, nuk kam mundur t’i ndihmoj diçka, nuk di çka t’u ndihmoj.
Në seancën gjyqësore ndaj Salih Mustafës, e cila në pjesën më të madhe të kohës po vijon e mbyllur, dëshmitari i pestë i mbrojtur ka thënë njësia në cilën ishte pjesë varej nga Brigada 153.
Ai ka thënë se nuk ka pasur ndonjë kontakt personal me Mustafën, veçse e ka njohur nga të tjerët.
Ndërsa kur është pyetur për “Skifterët” seanca ka vijuar e mbyllur pas së cilës pyetjet u bënë rreth një personi i cili nuk është bërë i ditur për publikun.
Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari me kodin W04603 u është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës së Mustafës, Julius Von Bone.
Avokati Von Bone: Ne po flisnim për njësinë tuaj, pyetja ime është kjo, kur u larguat për të marrë personin për të cilin diskutuam sipër a raportuat mbrapsht para komandës suaj.
Dëshmitari: Unë jo, nuk kam raportuar asnjë send.
Ai është pyetur edhe për Agron Xhemajlin për të cilin ka thënë se ka qenë udhëheqës i policisë ushtarake.
Dëshmitari ndër të tjera ka thënë se Brigada 153 e kishte shtabin të shkolla e Zllashit dhe se komandant i saj ka qenë Sejdi Veseli.
Personi me kodin W04603 është dëshmitari i pestë në rastin ndaj Salih Mustafës, gjykimi ky i cili ka filluar më 15 shtator 2021.
Nën pretendimin për krime lufte aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.
\RTV-Okarina\