Prokuroria liroi policin që rrahu brutalisht 18 vjeçarin

Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, është liruar në procedurë të rregullt nga prokurori Eset Rama, pasi u arrestua për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.

Ndonëse është hera e dytë që i njëjti arrestohet për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare, e në këtë rast brenda stacionit policor, siç duket kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorit Rama, ku pa kaluar ende 24 orë nga arrestimi, ka liruar të dyshuarin në procedurë të rregullt.

Kujtojmë se për rastet më të lehta, prokurorët mbajnë së paku 48 orë të dyshuarit për vepra të ndryshme penale.

Krimi i Haris Kelmendit jo vetëm që nuk u parandalua, por viktima u shndërrua në objekt talljeje dhe argëtimi edhe për zyrtarët tjerë policorë që e filmuan goditjen.