Në Prizren është përuruar shtëpia për persona me aftësi të kufizuara, ku do të strehohen personat të cilet nuk kanë përkujdesje nga të afërmit apo familjet e tyre.
Në përurimin e kësaj shtëpie që është e para në Prizren, mori pjesë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Islam Thaqi, së bashku me përfaqësuesin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Mentor Morina.
Me këtë rast, kryetari Haskuka theksoi se kjo shtëpi rezidenciale, është ndërtuar në cilësinë e standardeve të larta dhe tani e tutje do të ofrojë 24 orë shërbime të ndryshme të pandërprera si: Strehimi, higjiena, ushqimi, shërbime mjekësore nga stafi profesional, tanimë i rekrutuar, aktivitete të ndryshme sociale si dhe të gjitha shërbimet tjera të nevojshme, në bazë të standardeve për shërbime profesionale sociale dhe familjare.
Drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Islam Thaqi, deklaroi se kapaciteti i kësaj shtëpie, është deri në 14 persona dhe se ekipet e DPMS dhe MPMS-së kanë kryer një punë të jashtëzakonshme deri në përfundim të projektit.
Në fund, kryetari Haskuka falënderoi MPMS-në për këtë bashkinvestim, si dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe Qendrën për Shëndetin Mendor, për bashkëpunimin me drejtoritë e Komunës së Prizrenit, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për personat e strehuar në këtë shtëpi.
\RTV-Okarina\