Pritjes i erdhi fundi

Superliga e Kosovës në futboll sot zhvillon ndeshjet e para të sezonit të ri 2021/22.
E veçanta e këtij edicioni është se për herë të parë VAR-i do të aplikohet në Superligën tonë.
Ky kampionat pritet të jetë jashtëzakonisht interesant si për titullin kampion ashtu dhe për një vend në garat europiane, por dhe lufta për mbijetes pritet të jetë e ashpër.
Shumë skuadra kanë bërë shumë ndryshime në organikat e tyre, duke transferuar lojtarët që kishin piketuar.
Sot, nga ora 17:00 zhvillohen tri ndeshje tejet interesante, ku padyshim ajo më interesantja pritet të zhvillohet në Skënderaj.
Drenica në ”Bajram Aliu” pret Gjilanin e përforcuar ndjeshëm, por ”Shqiponjat e Zeza” kanë ditur që në ”folen” e tyre t’iu shkaktojnë shumë probleme ekipeve kundërshtare.
Ndeshje tjetër interesante pritet të zhvillohet dhe në Gjilan, ku Drita pret Feronikelin. Të dy skuadrat kanë qenë shumë aktive në merkato me ”Intelektualët” që në fillim të merkatos prezantonin transferimet e reja thuajse çdo dy-tre ditë. Kurse skuadra nga Drenasi vetëm mbrëm zyrtarizoi plot nëntë futbollist të ardhur në klub.
Llapi në stadiumin e Merdarës pret Ulpianën e rikthyer në Superligë. Në këtë ndeshje llapjanët llogariten si favorit absolut, por Ulpiana shkon në Podujevë për befasinë e ditës.
Sipas masave të marra së fundmi nga Qeveria e Kosovës, pjesëmarrja e tifozëve do të jetë vetëm 30% e kapacitetit të stadiumit dhe tifozët obligohen të mbajnë maskën gjatë tërë kohës.
\RTV-Okarina\