Pritet që Biden në deklaratën e tij, vrasjen e armenëve ta njoh si gjenocid nga Perandoria Osmane

 

Të mërkurën është thënë nga burimet se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pritet që formalisht ta njohë si gjenocid vrasjen e armenëve nga forcat e Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, pavarësisht paralajmërimit të Turqisë se një veprim i tillë do t’i përkeqësonte marrëdhëniet edhe ashtu jo të mira mes dy vendeve aleate të NATO-s.

Vendimi për njohjen e Gjenocidit Armen do të ishte në masë të madhe me karakter simbolik, por do të shënonte ndryshim të gjuhës së kujdesshme të Shtëpisë së Bardhë dhe vjen në kohën kur Uashingtoni dhe Ankaraja kanë mosmarrëveshje për një varg çështjesh, shkruan Reuters.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet ta përdorë fjalën “gjenocid” si pjesë e një deklarate që do ta bëjë të shtunën, më 24 prill, kur në vende të ndryshme të botës do të përkujtohen viktimat armene, thanë tri burime të afërta me këtë çështje.

 

 

“Mësa di unë, ai (Bideni) e mori vendimin dhe do ta përdorë fjalën gjenocid në deklaratën e tij të shtunën”, tha një burim i afërt me këtë çështje. Sidoqoftë, burimet paralajmëruan se duke e marrë parasysh rëndësinë e raporteve dypalëshe me Turqinë, presidenti Biden prapë mund të vendosë në minutën e fundit që të mos e përdorë fjalën “gjenocid”.

Sekretarja për Medie e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha të mërkurën para gazetarëve se Shtëpia e Bardhë ka gjasë që ka më shumë për të thënë rreth Gjenocidit Armen të shtunën, por refuzoi që të jepte hollësi.

Një vit më parë, kur ende ishte kandidat për president, Joe Biden i përkujtoi 1.5 milion burrat, gratë dhe fëmijët armenë që humbën jetën gjatë viteve të fundit të ekzistencës së Perandorisë Osmane dhe tha se do t’i përkrahte përpjekjet që vrasjet masive të tyre të njihen si gjenocid.

\RTV-Okarina\