Prishtina fiton minimalisht kundër Drenicës

Prishtina ka marrë tre pikë shumë të nevojshme dhe të rëndësishme për të dalë nga kriza e rezultateve.
Ndeshja ishte dinamike dhe e luftuar, por pa shumë raste shënimi.
Drenica u mbrojt mirë dhe kërkoi golin nëpërmjet kundërsulmit me Denisson e Zabërgjën që ishin shumë aktiv.
Në pjesën e parë bardhëekaltërit kishin tri raste por pa kërcënim serioz, kurse Drenica rastin më të mirë e kishte me sulmuesin Baton Zabërgja që goditi bukur, por topi shkoi pranë portës.
Vlen të përmendet se në pjesën e parë drenicasit u detyruan të bënin një zëvëndësim të detyrueshëm pas lëndimit të portierit Haxhijaj dhe në vend të tij u inkuadrua Kaloshi.
Edhe pjesa e dytë ishte dinamike me kuqezinjët që u treguan më të guximshëm dhe iu afruan më shpesh portës prishtinase.
Në dy raste drenicasit kërkuan penallti, por gjyqtari nuk vendosi për një gjë të tillë edhe pas konsultimit me VAR-in.
Në minutën 83′ erdhi goli nga vendasit, që deri në këtë minutë nuk kishin sulmuar shumë.
Pas krosimit të Abazit, John asistoi me kokë për Besnik Krasniqin që me të djathtën shënoi.
Prishtina kishte dhe një rast në fund, por Tolaj qëlloi transverzalen.
Pas 12 ndeshjeve Drenica mbetet në kuotën e 20 pikëve, kurse Prishtina tani ka grumbulluar 16 pikë.
\RTV-Okarina\