Sot me datë 09.06.2022, Forca e Sigurisë së Kosovës u vizitua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani-Sadriu.
Ajo fillimisht u prit nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari në zyrën e tij ku ia prezantoi të arriturat dhe aktivitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Më pas Presidentja Osmani dhe Gjenerallejtënant Jashari së bashku vizituan Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë ku u pritën nga stafi i lartë i FSK-së.
Presidentes Osmani iu prezantuan gjendja e përgjithshme, situata e sigurisë, operacionet, kapacitetet, bashkëpunimi ndërkombëtar ushtarak si dhe planifikimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Presidentja gjithashtu pati mundësinë të diskutojë më afër me komandantin e FSK-së rreth nevojave të FSK-së dhe ofroi mbështetjen e saj për zhvillimet e FSK-së dhe zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.
Në fund, Presidentja Osmani dhe Gjenerallejtënant Jashari drekuan së bashku me kadetë, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së ku patën mundësi të bisedojnë rreth sfidave dhe mirëqenies së tyre si ushtarakë të Ushtrisë së Kosovës.