Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Samitit të presidentëve të rajonit Brdo-Brijun në Slloveni, ka takuar sot homologun kroat Zoran Milanoviq.
Të dy bashkëbiseduesit, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve i kanë vlerësuar të shkëlqyeshme dhe janë shprehur të gatshëm që ato të intensifikohen në shumë sfera të interesit të përbashkët. Në këtë kontekst është përmendur mundësia e bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
Presidenti Milanoviq ka thënë se Kroacia mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sikundër edhe liberalizimin e vizave dhe rrugën evropiane.
Në takim u bisedua edhe situata me pandeminë Covid-19, ndërkohë që Presidentja Osmani falënderoi Kroacinë për dhurimin e një sasie të vaksinave.
Në Samitin e presidentëve të rajonit Brdo-Brijun, Presidentja Osmani pritet të ketë edhe takime me presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.