Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 22 vjetorin e masakrës së Rezallës, duke shprehur dhimbjen e saj për të gjithë ata që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë.
Postimi i plotë i Osmanit:
Drejtësi për Rezallën!
Në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht.
44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur. Disa vite më pas një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës.
Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb.
22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë!
Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit!
Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës!