Presidentja Osmani: BE-ja duhet ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave

 

Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në Samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SCEEP).

Osmani ka bërë të ditur se sot do të fillojë “Antalya Diplomatic Forum”, ku së bashku me presidentë, kryeministra e ministra nga shumë vende të botës do t’i diskutojnë një sërë temash, nga sfidat e pandemisë e deri te sfidat e qeverisjes globale.

 

 

Ndërkaq, dje gjatë fjalimit të saj Osmani u ka bërë thirrje vendeve të cilat nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë atë sa më parë.

“Në fjalimin tim para përfaqësuesve të vendeve anëtarë të këtij forumi kam folur mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në BE, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal. Ndër të tjera, kam theksuar se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur, nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e njëri-tjetrit. Prandaj u bëra edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Më tej, Osmani ka shtuar se Bashkimi Evropian duhet ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave.

 

 

“Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara. Por përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Evropian. Siç po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave”, është shprehur presidentja Osmani.