Gjatë një takimi dypalësh në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Madrid, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, falenderoi të mërkurën Presidentin turk Rexhep Erdogan për arritjen e një marrëveshjeje me Finlandën dhe Suedinë, që i hapi rrugën dy vendeve nordike për t’u bërë së afërmi anëtare të NATO-s.
“Dëshiroj t’ju falenderoj në veçanti për angazhimin për të zgjidhur situatën në lidhje me Finlandën dhe Suedinë, si dhe për të gjithë punën e jashtëzakonshme që bëni për të nxjerrë grurin nga Ukraina dhe Rusia. Mendoj se po bëni një punë shumë të mirë dhe do të doja të bisedonim për këtë kur të na krijohet mundësia”, tha Presidenti Biden.
Zoti Erdogan tha se konflikti në Ukrainë dhe zhvillimet negative për sa i përket eksporteve të grurit, si dhe për naftën e gazin natyror, kërkojnë bashkëpunimin e të gjithëve për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet njëherë e mirë. Ai shpreson që diplomacia do të ndihmojë për të zgjidhur problemet me eksportet e drithit ukrainas. Presidenti turk tha se roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara do të jetë jetik për forcimin e NATO-s në të ardhmen.