Mijëra të rinj duan të largohen nga Kosova dhe ambasada gjermane në Prishtinë ka pranuar pothuajse 200 mijë aplikime për viza vetëm në katër muajt e fundit, ka shkruar ueb portali kroat – i cili merret me analiza të krizave globale dhe ndikimin e tyre në rajon – Geopolitika News. Nëse trendi vazhdon, një e treta e popullsisë mund të vendosë të largohet nga vendi deri në fund të vitit.
Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, 76 për qind e të rinjve të moshës 16 deri në 25 vjeç dhe 53 për qind e atyre të moshës ndërmjet 26 dhe 60 vjeç dëshirojnë të largohen nga Kosova, shkruan mediumi slloven, Regional Obala, duke e cituar portalin kroat.
Ambasada gjermane në Prishtinë ka pranuar 199,783 aplikime për viza në katër muajt e fundit. 11 për qind e popullsisë së Kosovës ka aplikuar për vizë gjermane nga fillimi i dhjetorit të kaluar deri në fund të marsit. Në mars, ambasada ka pranuar 48,044 aplikime, ndërsa në shkurt vetëm 2,000 më pak. Ambasada gjermane lëshon 500 deri në 800 viza në muaj, ose rreth 5500 në vit.
Ambasadat e vendeve të tjera në Prishtinë pranojnë shumë më pak aplikime. Nga nëntori deri në janar të vitit të kaluar për vizë zvicerane kanë aplikuar 8737 qytetarë të Kosovës, ndërsa në ambasadën kroate nga nëntori deri në mars janë pranuar 1944 aplikime.
Sociologët vënë në dukje një tendencë shqetësuese, duke përmendur situatën ekonomike dhe dëshirën për një arsim më të mirë si arsyet kryesore të largimit nga vendi.
Kosova ka një popullsi prej rreth 1.8 milionë banorë dhe është një nga vendet më pak të zhvilluara në Ballkanin Perëndimor.