Populli i Beninit falënderon Bashkësinë Islame të Kosovës për ndihmat e dërguara

Ndihmat e dërguara nga shoqata humanitare bamirëse “Bereqeti” që funksionin në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIRK), kanë filluar të shpërndahen  për popullin e shtetit të Beninës në Afrikën Perëndimore.

Me këtë rast  pranimi  dhe  shpërndarja e këtyre ndihma është duke u bërë nga “Asociacioni humanitar  për zhvillim e promovim social”, në  Benine nën  udhëheqjen e  drejtorit, Kasim Jusuf-it. Ai me ketë rast ka shprehur falënderime dhe konsiderata të larta për këto ndihma  të dërguara nga Kryesia Bashkësisë Islame të Kosovës (BIRK), të tubuara nga njerëzit  e vullnetit të mirë të popullit të Kosovës  e duke lutur të madhin Zot që t’ua shtojë të mirat e Tij të shumta.

 

Nga ana tjetër edhe Muhamed Ebu Bekr, anëtar i shoqatës  shprehu falënderime për  popullin e Kosovës, duke vlerësuar se këto  mirësi janë nga populli i Kosovës, andaj lusim Zotin që këtë ndihmë ta pranoj nga ata  dhe  t’ua shpërblejë. ”Ne tashmë  i kemi  shkarkuar ndihmat dhe do të fillojmë  shumë shpejt shpërndarjen e tyre për nevojtarët. Unë me këtë rast jua konfirmoj se emaneti ka arritur në destinacionin e dedikuar”,tha  ai.

Ai po ashtu tha se një pjesë e ndihmave  do të shpërndahet në  pjesën veriore të shtetit të Beninit  ku nevoja është më e madhe.

Duhet të ceket se besimtarët nga gjithë vendet e Kosovës kanë kontribuar duke u solidarizuar me banorët e Beninit, ku para një muaji SHHB “Bereqeti”, pati nisur një maune me afro një mijë paketa veshmbathje për banorët e këtij shteti.

Drejtori i SHHB “Bereqetit” Behxhet Ajvazi, shprehet të kënaqur që ndihmat arritën  në dorën e nevojtarëve  dhe falënderon popullin  dhe gjithë bamirësit në Kosovë që mundësuan realizimin e këtij aksioni.

Aktivitete të tilla “Bereqeti” premton se do ta organizojë edhe në të ardhmen për t’u dalë në ndihmë familjeve nevojtare si në vend, ashtu edhe jashtë Kosove.