Policia sekuestron aparate për prodhimin e kriptovalutave në një veturë në Vushtrri

 

Njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, në orët e mbrëmjes së sotme kanë gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela për prodhimin e kriptovalutave.

 

Sekuestrimi i aparateve dhe pajisjeve të dyshuara është bërë në fshatin “Druar” të Vushtrrisë, në kohën kur njësia policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, gjatë kontrollit të detajuar brenda veturës janë gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela dhe mjete të ndryshme të dyshuara që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.

Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar drejtuesi i veturës, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë rregullt.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.