Policia e Kosovës ka dhënë detaje në raportin 24 orësh rreth rastit të rrahjes së djalit të politikanit, Nenad Rashiq.
Policia bën të ditur se rasti ka ndodhur në oborrin e shkollës “Miladin Mitiq”, në Graçanicë, të hënën rreth orës 10:30.
“Raportohet se ka ndodhur një rrahje masive në oborrin e shkollës, ku janë të përfshirë nxënësit e shkollës dhe disa persona të tjerë. Si pasojë e rrahjes, viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Graqanicës”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit të njëjti janë dërguar në mbajtje.
Ndryshe, mbrëmë është raportuar se Nikolla Rashiq, djali i Nenad Rashiqit, është rrahur nga rreth 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.
Ai ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku sipas babait të tij i janë thyer dhëmbët.