Policia gjermane ndalon katër kosovarë me pasaporta false në kufi

 

Policia Federale ka gjetur pastaj katër pasaportat e vërteta të kosovarëve, në bagazhet e familjes.

Në Bad Reichenhall, Policia Federale e Gjermanisë gjatë kontrolleve kufitare të bëra në autostradën A8 në Walserberg ka parandaluar hyrjen e palejuar të një familjeje katër anëtarëshe, shkruan pnp.de.

 

 

 

Kosovarët ishin shtirur si francezë me letërnjoftime të falsifikuara (franceze).

Burri 41 dhe gruaja 34-vjeçe, bashkë me dy fëmijët e tyre u treguan policëve dokumente franceze të identifikimit, transmeton albinfo.ch.

Kur kontrolluan letërnjoftimet, rojet e kufirit (policët) kuptuan se ato ishin të falsifikuara. Policia Federale ka gjetur pastaj katër pasaportat e vërteta të kosovarëve, në bagazhet e familjes.

 

 

Një krahasim i detajeve personale me sistemin e kërkimit policor tregoi se familja ishte dëbuar nga autoritetet gjermane në vitin 2019 pasi kërkesa për azil u ishte refuzuar dhe për ta ishte vendosur ndalimi i hyrjes në Gjermani.

Për më tepër, udhëtarët nuk mund të jepnin adresën e tyre në Francë dhe as të flisnin frëngjisht, përcjell albinfo.ch. Më në fund, 41-vjeçari pranoi se donte të vendosej me familjen e tij në Gjermani dhe se për këtë qëllim ai kishte siguruar katër letërnjoftime të falsifikuara në Serbi.