Policë nga rajoni i Mitrovicës dhe Pejës janë ankuar se tash e një kohë të gjatë nuk janë pajisur me çizme. Kur temperaturat kanë pësuar rënie dhe bora ka nisur të bie, ata detyrohen të dalin në punë me çizme të vjetruara ose këpucë të shkurta.
IndeksOnline ka pyetur Zyrën për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun rreth mungesës së çizmeve, por sipas tyre, janë rreth 8 % e zyrtarëve policorë që nuk janë furnizuar me çizme, e që ata kryesisht operojnë në administratë.
Furnizimi me pajisjet e nevojshme dhe me çizme, sipas policisë, realizohet konform rregullores së PK-së në fuqi, buxhetit në dispozicion dhe nevojave të vazhdueshme që paraqiten, përkatësisht (zëvendësimi i çizmeve të dëmtuara) dhe duke ju referuar kësaj rregulloreje aktualisht pa furnizuar me çizme janë diku vetëm rreth 8% të zyrtarëve policorë e të cilët kryesisht operojnë në administratë.
“Të njëjtit do të furnizohen në momentin që posedojmë kontratë valide, pasi që projekti i iniciuar aktualisht gjendet në Organin Shqyrtues të Prokurimit”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e policisë.
Një tender për “furnizim me çizme” i shpallur nga Policia e Kosovës është bllokuar në gjykatën e tenderëve prej muajit korrik, e që vlera e parashikuar e kontratës është rreth 760 mijë euro. Ankesa në OSHP është bërë nga OE “Solid” ShPK.
Derisa të funksionalizohet ky organ, nuk pritet që të ketë çizme të reja për policët që kanë mbetur pa to.
Policia e Kosovës thotë se përmes drejtorisë së logjistikës në vazhdimësi kujdeset të sigurojë pajisjet e nevojshme logjistike, përfshirë veshmbathjet dhe pajisjet e nevojshme për të gjithë zyrtarët policorë, me qëllim të mundësimit të realizimit të detyrave operative dhe administrative.
Rikujtojmë se në të kaluarën policët janë pajisur shumë më shpesh me çizme, madje në kohën e UNMIK-ut, pra para tranzicionit, zyrtarët policor kanë marrë një palë çizme të kualitetit të lartë çdo 24 muaj./rtvokarina/