Po prisni familjarë nga diaspora, kjo është gjendja aktuale në vendkalimet kufitare të Kosovës

Në vendkalimet kufitare me Serbinë vazhdon të ketë fluks të madh të automjeteve me bashkatdhetarë që po vijnë t’i kalojnë pushimet në Kosovë dhe atyre që po kthehen. Por, për dallim prej viteve të tjera, sivjet nuk po regjistrohen pritje të gjata në kufi.

Mëngjesin e sotëm (e premte) sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, të orës 06:38 pritje më të gjata janë regjistruar në vendkalimet kufitare me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në Muçibabë dhe Stançiq.

Në vendkalimin kufitar në Muçibabë, në dalje të Kosovës, qytetarët po presin deri në një orë e gjysmë për të hyrë në Serbi. Ndërsa në Stançiq deri në 60 minuta për të dalë nga Kosova, raporton Telegrafi.

Ndërkohë në dy vendkalimet kufitare më të frekuentuara me Serbinë, në Merdar dhe te Dheu i Bardhë nuk ka pritje të gjata.

Në Merdar po pritet rreth 30 minuta në dalje dhe rreth 10 minuta për të hyrë në Kosovë.

Në vendkalimet e tjera kufitare të Kosovës me vendet e tjera fqinje nuk ka pritje më të gjata se 05-10 min në hyrje dhe dalje.