Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për një rast të ngacmimit seksual pas denoncimit të një 17-vjeçari, i cili po pretendon se është ngacmuar nga një person i moshës 62-vjeçare, në rrugën “Ilir Konushefci” në Podujevë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka ngacmuar të miturin, duke e prekur në organe gjenitale dhe duke i ofruar para në këmbim të marrëdhënieve seksuale. Ngjara dyshohet se ndodhi në njërën nga kafenetë e Podujevës, ku i dyshuari e kishte ftuar 17-vjeçarin për kafe.
Ky rast e ka tronditur të miturin, i cili e refuzoi burrin e dyshuar dhe u nis për në stacion policor, që ta denoncojë rastin. Në dëshminë e tij, ai ka përshkrua në detaje veprimet e të dyshuarit. Kjo bëri që prokurori të urdhërojë arrestimin dhe ndalimin e tij.
Me rastin e kontrollit policor te i dyshuari, zyrtarët policorë ia kanë gjetur një shumë të të hollave që është konfiskuar si dëshmi për rastin, si dhe i është konfiskuar telefoni.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe mbledhjen e dëshmive që zbardhin se si ndodhi rasti.