Pjesa e parë mes Kosovës dhe Rumanisë, e cila po luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ka përfunduar me rezultat 1-0 në favor të mysafirëve. ‘Dardanët’ kishin mundësinë e parë për gol në minutën e nëntë, kur Vedat Muriqi gjuajti me kokë, por topi shkoi mbi portën e mbrojtur nga portieri Nita. Në minutën e 20-të, Fisnik Asllani u rrëzua brenda zonës pas një kontakti me mbrojtësin rumun, por gjyqtari nuk dha penallti dhe ndeshja vazhdoi. Një tjetër rast për Kosovën erdhi në minutën e 31-të, kur Milot Rashica bëri një goditje të fuqishme, por ajo u ndal nga portieri rumun. Nga ana tjetër, Rumania pati një mundësi të mirë me Dragus në minutën e 35-të, por gjuajtja e tij me kokë u prit lehtësisht nga Aro Muric. Pavarësisht dominimit të Kosovës në disa faza, Rumania kaloi në epërsi në minutën e 40-të me golin e Dennis Man.
Në minutën e 44-të, Valentin Mihaila ishte afër të dyfishonte epërsinë, por gjuajtja e tij goditi shtyllën. Kosova tani përballet me sfidën e pjesës së dytë, ku pritet një reagim i fortë me shpresë që ndryshimet taktike dhe mbështetja e tifozëve do ndihmojnë në përmbysjen e rezultatit./okarinapress/