Pezullohet greva e punëtorëve shëndetësorë, FSShK thotë se po e bën për shkak të gripit sezonal

 

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës duke u nisur nga situata e rëndë epidemiologjike në vend dhe duke u nisur nga raportet e ardhura nga QKMF-të, Repartet Pediatrike të Spitaleve dhe Klinikës së Pediatrisë ka bërë të ditur se ka marr vendim që grevën e përgjithshme të paralajmëruar për datën 21 dhjetor 2021 ta pezullojë deri në një vendim tjetër të Këshillit Drejtues në janar 2022.

Në njoftim thuhet se FSSHK kishte shpresuar që buxheti për vitin 2022 do të votohet me datë 22 dhjetor 2021 andaj edhe ka kërkuar që të zhvillojë takime me ministrin e Shëndetësisë, ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës, Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale si dhe Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa, pasi që buxheti votohet sot edhe njëherë në interes të pacientëve e pezullon grevën e përgjithshme.

“FSSHK njofton opinionin e gjerë se të hënën më datë 20.12.2021 do të takohen me ministrin e Shëndetësisë, të martën me Komisionin për Shëndetësi dhe presim takim me Kryeministrin Kurti ashtu  siç është prononcuar në media”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtyre takimeve, FSSHK thekson se para ministrit të Shëndetësisë dhe anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi do të shpalosë edhe njëherë kërkesat për miratimin e Ligjit të Pagave dhe kërkesën për rritje të pagave prej 50% për të gjithë të punësuarit në institucione publike shëndetësore.

Në fund FSSHK tregon se nuk ka tërheqje nga greva, por vetëm pezullim të përkohshëm pasi nuk dëshirojnë t’i lënë pacientët, siç thonë ashtu siç “po na lë neve Qeveria”.