Diplomati austriak Wolfgang Petrich, ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën në vitet 1998-99, ka komentuar letrën e Presidentit amerikan, Joe Biden drejtuar Presidentit Serb Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur atë fillimin e komunikimit zyrtar midis Biden, si president i SHBA, dhe Vuçiq.
” Biden donte të dërgonte edhe një herë mesazhin me këtë letër se Shtetet e Bashkuara janë me vendet që e kanë njohur tashmë Kosovën”, ka thënë Petrich në një intervistë për REL në gjuhën serbe.
“Ky është një hap më tej në gjuhë krahasuar me fjalorin e përdorur nga BE si ndërmjetës në dialog”, shtoi Petrich, përcjell Telegrafi.
“Beogradi beson se njohja e Kosovës nuk është pjesë e procesit të normalizimit, ndërsa pozicioni i Shteteve të Bashkuara është i ndryshëm”, shton Petrich.
“Pyetja kryesore tani është nëse BE, si ndërmjetës në dialog, është e gatshme të bëjë një hap përpara. Kur Kosova të formojë një ekip negociator pas zgjedhjeve duhet të vazhdohet hap pas hapi. Do të jetë një rrugë e gjatë, një maratonë e vërtetë dhe në atë dialog duhet përafruar pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit. Është e vetmja rrugë pragmatike përpara”, tha ish i dërguari i BE.
Petrich beson se njohja e Kosovës do të jetë një kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Njohja e Kosovës nuk është një vlerë në vetvete. Do të ketë kuptim vetëm nëse marrëdhëniet ekonomike midis njerëzve të zakonshëm dhe të gjithë të tjerëve vendosen mbi një bazë të re. Sidoqoftë, kjo realisht nuk do të realizohet në një të ardhmen e parashikueshme. Janë të nevojshme lëvizje, që kanë të bëjnë me përfshirjen e vendeve të Ballkanit në programet evropiane. Në natyrën e BE-së është një proces. Shtetet e Bashkuara theksojnë se janë të përqendruara në veprim, kurse BE në proces. Në fund, të dy qasjet janë të nevojshme, por derisa të shihet një zgjidhje përfundimtare, një qasje hap pas hapi është e nevojshme”, tha Petrich