Shkruan Murat Musliu:
Demonstrata e 11, 26 marsit dhe 1 e 2 prillit të vitit 1981, ishin ndër më të fuqishmet që populli shqiptar kishte organizuar ndonjëherë kundër ish pushtuesit serbo-jugosllav.
Demonstratat fillimisht filluan në menzën e studentëve në mbrëmjen e 11 marsit rreth orës 19:00, pasi kështu kishin marr vendim studentët organizatorë me 10 mars në dhomën nr.310 (Gani Koci, Murat Musliu, Selim Geci) së bashku me studentët e dhomës nr.312 (Kadri Kryeziu, Jonuz Jonuzi, Ramadan Gashi dhe Bedri Deliu).
Pikërisht ashtu siç u morrëm vesh në mbrëmjen e 10 marsit që të nesërmen t’i njoftojmë studentët (natyrisht atyre që ju besonim) që të fillojmë demonstratat.
Këto demonstrata filluan me ndërprerjen e ushqimit në menzë ku si pretekst kishim pakënaqësinë e arsyshme të studentëve për kushtet jo të mira.
Pasi u arrit qëllimi i ndërprerjes së ushqimit në menzë, grupi organizator u bënë thirrje studentëve që të marshojmë për në qendrën e qytetit të Prishtinës dhe kësaj thirrje iu përgjigjen një numër i konsiderueshëm i studentëve, diku 200-300 studentë.
Gjatë marshimit filluam me parullat sociale si: Duam kushte më të mira, Duam bukë, pastaj Unitet, Poshtë borgjezia, Lironi shokët nga burgu, Rroftë Adem Demaçi.
Sigurimi Jugosllav u zu në befasi pasi kishin menduar që grupi demonstrues po marshonte në qytet si simpatizant të futbollit pasi atë ditë ishte luajtur ndeshja Prishtina-Partizani (Beograd).
Pasi kaluam nëpër qendrën e qytetit (tani sheshin Nënë Tereza) u kthyem prapë në qendrën e studentëve me qëllimin që të na bashkohen edhe studentë të tjerë të cilët ishin të painformuar me atë se cfarë po ndodhte.
Demonstrata u masivizua me bashkangjitjen e të gjithë studentëve e qytetarve të shumtë dhe tentuam që po atë natë të dalim prapë në qendër të qytetit. Ky tentim u bllokua nga forca të mëdha të policisë që kishin bërë kordon para menzës së studentëve.
Turmës iu drejtuan disa studentë me fjalime që demaskonin politikën anti-shqiptare që ushtronte Serbia dhe Federata Jugosllave.
Demonstrata që filloi në orën 19:00 me 11 mars vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit të 12 marsit, ku me intrevenimin brutal të forcave policore u shpërndanë demonstruesit.
Demonstratat u bën më masive me 26 mars, 1 dhe 2 prill ku kërkesa kryesore në këto demonstrata ishte : Kosova Republikë, si strategji sepse kërkesa e drejtë legjitime ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në Jugosllavi me shtetin amë Shqipërinë.
Këtyre kërkesave legjitime të popullit shqiptar udhëheqësia e RFSJ dhe Serbisë si dhe vasalët e tyre shqiptar në Kosovë iu përgjigjen me dhunë, ku u vranë shumë demonstrues, u plagosën me qindra dhe u burgosen me mijëra të rinjë shqiptar.
Demonstratat gjithë-popullore të vitit ’81 shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarve të robëruar nga RFSJ.
Demonstratat e vitit ’81 ishin një zgjim i popullit shqiptar në Jugosllavi sepse u demaskua politika e rrejshme e bashkim-vëllazërimit dhe barazisë së të gjithë popujve që jetonin në Jugosllavi.
Kualifikimet e komitetit të LK-së të Kosovës për demonstratat e 11 marsit fillimisht u kualifikuan si revoltë sociale, por në mbledhjen e 28 marsit ’81 demonstratat e 11 dhe 26 marsit u cilësuan si armiqësore, ndërkaq në mbledhjen e përbashkët të kryesisë të komonitetit qendror të Serbisë demonstratat u cilësuan si destruktive dhe që kishin qëllimin e destabilizimit të sistemit kushtetues, minimin e bashkim-vëllazërimit dhe përmbysjen e sistemit politik.
Më vonë me 3 prill në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe Komitetit Qendror LKJ demonstratat u cilësuan irredentiste, nacionaliste madje edhe kontra-revolucionare.
Pas këtyre cilësimeve nisen arrestimet masive të organizatorëve, të pjesëmarrësve aktiv në demonstrata, ku u zhvilluan gjykime dhe mijëra të rinjë u dënuan më shumë vite burgim.
Pas këtyre demonstratave nisi diferencimi ideo-politikë në të gjitha strukturat dhe nivelet shoqërore.
Udhëheqësia e atëhershme e Kosovës jo vetëm që nuk i përkrahi kërkesat gjithëpopullore por u vu tërësisht në shërbim të regjimit pushtues, ndoshta edhe më shumë se që ju kërkohej.
Rruga e nisur për të drejtat e shqiptarve vazhdoj edhe në vitin 1982 e më tutje për tu bërë më masovike në vitin 1989 deri në demonstratat e njohura të studentëve të vitit 1997 të UP-së.
Këto përpjekje të vazhdueshme të popullit shqiptar u kurorëzuan me formimin e UCK-së, luftës për liri, debimin definitivë të forcave serbe nga Kosova në vitin 1999 dhe shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran me 17 shkurt 2008.