Përpos mjekëve, nga Kosova po ikin edhe policët, shumë prej tyre kanë aplikuar për viza

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë, kryetari i Sindikatës se Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se pjesëtarët e PK-së meritojnë trajtim më të dinjitetshëm.

 

Ai ka thënë se pjesëtarët e policisë përballën me sfida të mëdha dhe sipas tij qeveria duhet të marrë parasysh kërkesat e tyre. Në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë, Zeqiri ka treguar se që nga fillimi i pandemisë 25 zyrtarë policorë kanë ndërruar jetë.

Zeqiri shprehi shqetësimit për trajtimin e policëve ku tha se policia duhet të ketë trajtim më të dinjitetshëm. Ai me këtë rast ka shprehur pakënaqësinë lidhur me koeficientin për paga për Policinë e Kosovës.

“Aktualisht PK numëron 9 mijë 119 punonjës, përfshirë edhe stafin civilë. Prej themelimit të PK kemi 21 zyrtarë të vrarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kemi 426 zyrtarë që janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës, 237 zyrtarë që janë sëmurë gjatë kryerjes së detyrës dhe 528 raste me sëmundje të veçanta. Prej fillimit të pandemisë kemi 25 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën nga pandemia dhe 2 mijë e 500 zyrtarë që janë infektuar dhe besoj që këto shifra janë një tregues i sfidave të zyrtarëve policorë për gjatë këtyre viteve. Punonjësit e Policisë së Kosovës duhet të kenë një trajtim me të dinjitetshëm. Projektligje për pagat, na është ofruar një projektligj bashkë me koeficientet që janë prezantuar, për sindikatën e Policisë së Kosovës që në start është i papranueshëm për shkak se nuk kemi çmim të koeficientit. Është i papranueshëm rangimi i koeficientëve në PK në krahasim me institucionet e tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo është diskriminuese për Policinë e Kosovës.

“Punë me rrezikshmëri dhe sfida, policët punojnë në hetime, aktualisht prokurori në krahasim me këtë polic i merr pesë paga. Është i papranueshëm projektligji i cili na është ofruar me këta koeficientë”, ka thënë ai.

Si shqetësim ai ka ngritur edhe mungesën e sigurimeve shëndetësore.